Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt 2018, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe CRCA Shqipëri, organizoi konferencën “Dita e internetit te sigurt”, me date 6 shkurt 2018, prane Hotel Tirana International.

Konferenca finalizoi vazhdën e aktiviteteve ndërgjegjësuese të realizuara nga AKCESK dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në disa nga shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit. Aktivitetet konsistonin në bashkëbisedim me nxënësit gjatë orës së Informatikës, si dhe këshilla për përdorimin e internetit të sigurt. Në këtë kontekst, AKCESK zhvilloi një pyetësor mbi përdorimin e Internetit nga fëmijët (kohën dhe faqet që aksesojnë më shpesh) të quajtur “Gjurma ime digjitale”. Ashtu siç pritej, fëmijët kalonin 60% të kohës së tyre duke vizituar rrjetet sociale, 20% faqe edukative dhe 20% lojëra online.
Dita ndërkombëtare për internetin e sigurt gjatë vitit 2018 u zhvillua nën moton “Krijo, lidhu dhe ndaj me respekt: Interneti i sigurt fillon nga ty” e cila është një thirrje për veprim për qeverinë, shoqërinë civile, industrinë e internetit, prindërit mësuesit e etj, për të mbrojtur dhe ndërgjegjësuar fëmijët dhe adoleshentët nga rreziqet e lundrimit në internet.

Me këtë qëllim, për të zbatuar Marrëveshjes së Bashkëpunimit “Për sigurinë online të fëmijëve në Shqipëri” të nënshkruar në Shkurt të 2016, midis: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Brendshme, u nënshkrua edhe një plan veprimi me detyrat përkatëse për secilën prej tyre, duke perfshirë edhe AKCESK, si autoriteti rregullator i fushës së sigurisë kibernetike.

Gjithashtu, gjatë aktivitetit, Ofruesit e Shërbimit të Internetit (ISP) me potenciale ne treg (tre kompanitë mobile dhe tre ISP kabllore) nënshkruan aneksin amendues të Kodit të Sjelljes “Për përdorimin e sigurtë dhe të përgjegjshëm të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike në Shqipëri”, i nënshkruar që prej 2013 prej tyre. Ndryshimet në këtë kod sjellin angazhime të reja për ISP, të cilat do të konsistojnë në hartimin e politikave dhe aplikimin e tyre në mbrojtjen e fëmijëve në internet. Detyra të tjera janë: përfshirja e tyre në fushata ndërgjegjësuese mbarë kombëtare; shpërndarja e informacionit nëpërmjet pikave të tyre të shitjes (fletë palosje; aplikacione; informim verbal të prindërve mbi masat e aplikueshme; etj.)

Mbrojtja e fëmijeve nga përdorimi i pasigurt i internetit është një detyrë e të gjithëve, prandaj gjithësecili prej nesh, autoritet publik, kompani private, mësues e prindër, kemi përgjegjësinë për të orientuar femijët drejt zgjedhjeve të sigurta.