Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Korea Internet & Security Agency (KISA), organizuan në datat 6-7 Dhjetor, seminarin që kishte në fokus ngritjen e kapaciteteve të ekspertëve të sigurisë të infrastrukturave kritike e të rëndësishme të informacionit, për bizneset dhe administratën publike.

Ky seminar u organizua në kuadër të misionit për vlerësimin e nivelit të maturimit të sektorëve të sigurisë kibernetike në vendet e Rajonit të Ballkanit.

Ceremonia e hapjes u zhvillua pranë Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri. Në takim grupi KISA u njoh me situatën e zhvillimit të sektorit TIK, nga drejtoresha e AKSHI-t, znj. Karcanaj, me projektet e mbështetura nga donatorët e huaj të cilat u prezantuan nga z. Ergis Sefa, Koordinator në Kryeministri, si dhe u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin dhe mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.

Në ditën e parë të seminarit, u bë prezantimi nga Korea Internet & Security Agency (KISA), dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si dhe u diskutuan çështje të përgjithshme të sigurisë kibernetike në Shqipëri dhe në Kore.

Në ditën e dytë tematikat ishin më të thelluara, përfshirë këtu strukturën, veprimtarinë, aktivitetet e kryera nga Korea CERT, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), çështje të sigurisë kibernetike në IoT Devices etj.

Gjatë seminarit përfaqësuesit e Infrastrukturave Kritike dhe të Rëndësishme të Informacionit shfaqën interes të veçantë për tematikat si dhe morën pjesë në diskutime, debate dhe opinione të ndryshme.