Në datën 6 shkurt 2019, u zhvillua Workshop-i për “Safer Internet Day 2019”, “Angazhimet sektoriale në fushën e Sigurisë”, i organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK).

Në këtë Workshop morën pjesë UNICEF Albania, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), International Telecommunication Union (ITU), RISI Albania, Universitetet, Sektori privat (ISP-të, Spitalet private, Kompani të tjera që disponojnë sisteme kritike informacioni).

Workshop-i kishte si qëllim njohjen me situatën aktuale në fushën e sigurisë në vend duke filluar nga Universitetet deri tek kërkesat e tregut për këtë fushë, nxitjen dhe mbështetjen e sektorit privat për identifikimin e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, unifikimin e politikave të sigurisë nga ISP-të për mbrojtjen e fëmijëve në internet dhe sensibilizimin e sektorit privat për zhvillimin e një fushate mbarëkombëtare mbi ndërgjegjësimin e qytetarëve për sigurinë e fëmijëve online.

Në përfundim të Workshop-it u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), me qëllim krijimin e një kuadri bashkëpunimi midis palëve, duke identifikuar fushat e bashkëpunimit në bazë të interesit të përbashkët.