PKI

PKI është shkurtim për Public Key Infrastructure - Infrastruktura e Çelësit Publik. Infrastruktura PKI është bashkësia e të gjitha organizatave, sistemeve (hardware, software), personelit, proceseve, politikave të sigurisë dhe marrëveshjeve, të cilat mundësojnë funksionimin e teknologjisë me çelësa publikë për një numër të caktuar përdoruesish. Shumë organizata dhe qeveri kanë aplikuar lloje të ndryshme sistemesh PKI-je por, me termin infrastrukturë ne duhet të kuptojmë bazat dhe arkitekturën që zakonisht përdoret në këto raste, në transaksionet bankare, mbrojtjen e serverave, e-maile dhe rrjete private etj.

Për të marrë në mënyrë maksimale avantazhet që na jep përdorimi i internetit dhe për të përparuar në tregtinë elektronike, disa probleme duhet të zgjidheshin. Disa nga këto janë: arritja e mënyrave të besueshme për verifikimin e identitetit të personave dhe organizatave të ndryshme, siguria në transmetimet elektronike të dhënave dhe kapja e ndryshimeve nga persona të paautorizuar mbi to, sigurimi se, një dokumenti i nisur apo marrë në dorëzim nuk mund të kundershtohet apo mohohet, mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe ndalimi i aksesit për personat e paautorizuar etj. Për gjithë këto çështje, PKI-ja ofron zgjidhjen më premtuese. Një nënshkrim elektronik, bazuar në PKI siguron siguri dhe integritet, ndërsa një sistem enkriptimi bazuar në PKI jep sigurimin konfidencial të operacioneve që kanë të bëjnë me të dhëna sensitive.

Teknologjia që bën të mundur plotësimin e këtyre kritereve të sigurisë nga PKI mundësohet nga matematika asimetrike, ose kriptografia e çelësave publikë, e cila përdor dy "çelësa" të lidhur matematikisht me njeri tjetrin, (të cilët janë vetëm string bit-esh), të cilat enkriptojnë ose dekriptojnë të dhëna. Njëri nga çelësat, bëhet publik pa kompromentuar sigurinë e çelësit tjetër, të cilin zotëruesi e mban privatisht. PKI ka të bëjë edhe me kriptografinë simetrike, e cila përdor të njëjtin çelës për enkriptim dhe dekriptim, si dhe me disa protokolle të tjerë kriptografie.

PKI përdor kriptografinë me çelësa publike, e cila siguron një nivel sigurie të lartë për ruajtjen dhe transmetimin e informacioneve dhe të dhënave. PKI-ja lindi si nevojë rritjes së sigurisë së transaksioneve bankare dhe ruajtjen e të dhënave sensitive në shoqërinë tonë, duke pasur parasysh evolucionin dhe përdorimin gjithnjë në rritje të telekomunikacioneve dhe tregtisë elektronike.