Në datat 10, 11 dhe 12 Maj 2022, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), si pjesë e ENISA Article 19 Expert Group (Agjencia Evropiane për Sigurinë Kibernetike), si dhe në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota në Forumin Evropian të Autoriteteve Mbikëqyrëse të Ofruesve të Shërbimeve të Besuara (FESA), mori pjesë në takimin mbi ndryshimet e fundit në rregulloren eIDAS2 si dhe Direktivën NIS2.
Në këtë aktivitet morën pjesë autoritetet mbikëqyrëse në fushën e shërbimeve të besuara nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Anëtarët e FESA takohen rregullisht të paktën dy herë në vit, ku shkëmbejnë informacione dhe diskutojnë çështjet e bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse në fushën e shërbimeve të besuara.
FESA synon harmonizimin e aktiviteteve të autoriteteve mbikëqyrëse, zhvillimin e këndvështrimeve të përbashkëta për dialog me institucionet politike ose teknike, ne veçanti me Komisionin Evropian dhe institucionet e standardizimit, për të lehtësuar proceset për Komisionin Evropian në lidhje me shërbimet e besuara.

Disa nga temat më të rëndësishme të diskutuara ishin:
1. Njohja me situatën aktuale në fushën e shërbimeve të besuara dhe të sigurisë në të gjitha vendet anëtare të FESA-s
• Raportimin vjetor mbi numrin e Ofruesve të Kualifikuar të Shërbimeve të Besuara të regjistruar në secilin vend anëtar, si dhe numrin e incidenteve kibernetike të ndodhura.
2. Diskutim mbi ndryshimet në rregulloren eIDAS2 përfshire European Digital Identity Wallet dhe zgjidhjet teknike për ofrimin e këtij shërbimi me qëllim vendosjen e kritereve te përbashkëta teknike në BE.
3. Zhvillimet e fundit teknologjike lidhur me:
• certifikatat e kualifikuara për autentifikimin e faqeve te internetit QWAC
• rastet kur hiqet certifikimi të pajisjeve për krijimin e nënshkrimeve elektronike te kualifikuara
• Standardet për shërbimin e kualifikuar të ruajtjes për nënshkrimet elektronike
• Modulin EU Trustes Services Dashboard, funksionet e reja te shtuara
4. Diskutim mbi kërkesat dhe përgjegjësitë e ofruesit e kualifikuar të shërbimit të besuar, për garantimin e sistemeve të besueshme
5. Implementimi i standardeve ndërkombëtare të ETSI, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë në shërbimet e ofruara.

Së fundmi, u propozua edhe ndryshimi i emërtimit të grupit nga “Enisa Article 19 Expert Group” ne ECATS (European Competent Authorities on Trusted Services), ky ndryshim erdhi si pasoje e heqjes se nenit 19 nga rregullorja eIDAS.
Gjithashtu u propozua që vendet kandidate për të hyrë në Bashkimin Evropian, të cilët e kane të harmonizuar legjislacionin e tyre me rregulloren eIDAS, të kenë të drejtën e votës njësoj si vendet anëtare të BE, në lidhje me vendime të rëndësishme të marra në grupin e eksperteve të ENISA dhe Fesa.
Si përfundim u sugjerua azhurnimi i kuadrit rregullator, specifikisht me standardet e reja te ETSI si dhe u premtua vazhdimi i bashkëpunimit në fushën e shërbimeve të besuara ndërmjet vendeve anëtare te FESA.