Tiranë 30 Shtator 2019- Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike dhe Unicef Albania me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkisë Tiranë organizuan në Shkollën Kosova aktivitetin “Së bashku për një internet më të mirë”.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ndërgjegjësimi i institucioneve publike dhe private, prindër dhe edukatorë, për të krijuar mekanizmat e duhur për një internet më të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë. Të ftuar në këtë aktivitet ishin znj. Anisa Ruseti , nënkryetare e Bashkisë Tiranë, Drejtoresha Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore, znj. Afshan Khan, Dr Roberto De Bernardi përfaqësues i UNICEF në Shqipëri dhe znj.Vilma Tomco, Drejtor i Përgjithshëm i AKCESK.

Fëmijët ndanë me bashkëmoshataret e tyre aplikacionin më të ri, ‘ichild Quiz’ publikuar në faqen zyrtare të cesk.gov.al, ku nëpërmjet lojës ata testojnë aftësitë e tyre në lidhje me çështjet e internetit të sigurt.

Eksperiencën si këshillues të vegjël, nxënësit e klasave te VI,VII, VIII në qarqe të ndryshme të Shqipërisë e përfituan nëpërmjet trajnimeve të organizuar nga AKCESK dhe UNICEF, ku për herë të parë u aplikua si praktikë në formatin e një manuali me gjuhën e fëmijëve për fëmijët. Ky manual po i ndihmon fëmijët të zgjerojnë njohuritë dhe të rrisin aftësitë e nevojshme për t’u rritur në epokën dixhitale.

Rritja e ndërgjegjësimit dhe ngritja e kapaciteteve tek të gjithë segmentet e shoqërisë për përdorimin e sigurt të internetit nga fëmijët është një nga objektivat kryesore të Autoritetit.