Shqipëria – rol aktiv në diskutimet e Kombeve të Bashkuara për Sigurinë Kibernetike

Në datat 4-8 Mars, Departamenti i Shtetit të SHBA-së zhvilloi  Seksionin e 7-të Substancial të OEWG, në New York.
Në këtë angazhim të rëndësishëm kombëtar, delegacioni i Shqipërisë ka luajtur një rol aktiv dhe ka dhënë kontribut të qenësishëm. AKCESK është pjesë e këtij delegacioni përmes zëvendës drejtoreshës së përgjithshme, znj. Floreta Faber. Pjesëmarrja e saj në seksionin e radhës u mbështet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Byroja e Hapësirës Kibernetike dhe Politikave Digjitale (CDP), në kuadër të fuqizimit të grave në çështjet e sigurisë kibernetike në OEWG.

Në deklaratën zyrtare të Shqipërisë në seksionin ku u trajtuan zhvillimi i rregullave, normave dhe parimeve për sjelljeve të përgjegjshme të shteteve, znj. Faber theksoi se Qeveria Shqiptare ka marrë të gjitha masat për rishikimin e legjislacionit për sigurinë kibernetike, duke e përafruar me kuadrin e BE, rritjen e investimeve në infrastrukturë, rritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Rishikimi i legjislacionit, së bashku me strategjinë e re të sigurisë kibernetike, synojnë të forcojë qëndrueshmërinë e Shqipërisë ndaj kërcënimeve kibernetike në rritje. Investimet në teknologji dhe infrastrukturë të modernizuar dëshmojnë më tej përkushtimin e Shqipërisë për të mbrojtur infrastrukturën kritike të informacionit.

Në seksionin që u përqëndrua në rrugët dhe nevojat për rritjen e kapaciteteve, znj. Faber prezantoi se Shqipëria është e përkushtuar për të zhvilluar një ekosistem të fuqishëm edukimi dhe trajnimi për sigurinë kibernetike. Ky angazhim do të mishërohet në krijimin e Akademisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike (NCSA), një nismë e krijuar për të përgatitur brezin e ardhshëm të ekspertëve të sigurisë kibernetike për Shqipërinë. Ajo parashtroi platformën që do të mundësojë trainime të ekspertëve të fushës kibernetike në sektorin publik dhe atë privat. Ajo parashtroi dhe punën që tashmë ka filluar për mbrojtjen e fëmijëve online.

Bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet një gur themeli i qasjes së Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike. Përfshirja aktive e vendit tonë në forume ndërkombëtare pasqyrojnë një përpjekje shumëdimensionale, për të përmirësuar qëndrueshmërinë kibernetike kombëtare dhe rajonale.

Duke qenë gjithmonë në linjë të plotë me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe duke forcuar bashkëpunimin, Shqipëria po pozicionohet si një lojtar kyç në përpjekjet globale për të ofruar një ekosistem digjital të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë.

 

     

Buletini i Lajmeve të Sigurisë Kibernetike Shkurt 2024
AKCESK