Siguria Kibernetike “Prioritet në Agjendën E Kombeve të Bashkuara”

Sesioni i katërt i “Open-Ended Working Group (OEWG) on security of and in the use of information and communications technologies” zhvilloi punimet e tij në datat 6 – 10 Mars 2023, fokusuar në kërcënimet globale të sigurisë kibernetike, Masat e Ndërtimit të Besimit (MNB) dhe ngritjen e kapaciteteve, si dhe normat e sjelljes së përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike.

Shqipëria, përfaqësuar me Misionin e Përhershëm pranë OKB dhe përfaqësuesit e AKCESK, theksoi me deklaratën e parë trajtimin e kërcënimeve të mundshme në hapësirën kibernetike. Në një deklaratë të dytë, u vu theksi te masat që mund të ndërmarrin shtetet për forcimin e besimit mes tyre, në funksion të paqes e sigurisë mes vendeve, si dhe në mënyrë më të detajuar mbi çështjen prioritare për Shqipërinë, atë të forcimit dhe ndërtimit të kapaciteteve, në linjë me angazhimet ndërkombëtare e ndërajonale, si me politikat e Bashkimit Evropian dhe MNB të OSBE.

Në deklaraten e saj Shqipëria, në kuadër të masave të ndërtimit të besimit, theksoi rëndësinë e shkëmbimit të informacionit nëpërmjet platformave rajonale dhe globale, jo vetëm si një mjet për mbrojtje ndaj kërcënimeve kibernetike, por edhe si një mjet për ndërtimin e besimit ndaj shteteve. Në këtë kontekst, Shqipëria deklaroi angazhimet e saj në linjë me MNB të OSBE.

Në lidhje me ngritjen e kapaciteteve, Shqipëria theksoi se është në linjë të plotë me deklaratën e BE dhe prezantoi progresin në terma të: harmonizimit të kuadrit ligjor me kornizën e Bashkimit Evropian; ngritjes së CSIRT Kombëtar; trajnimeve për rritje kapacitetesh të CSIRT-eve sektoriale; konsolidimin e kapaciteteve për diplomacinë kibernetike dhe qeverisjen kibernetike; trajnimeve dhe fushatava te ndërgjegjësimit në fushën e sigurisë kibernetike për administratën publike, industrinë, fëmijët e të rinjtë; si dhe trajtimin e temave të sigurisë kibernetike në kurrikulat arsimore.

Njëkohësisht, Shqipëria vlerësoi në deklaratën e saj bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare si ITU, OSBE, BE, RCC etj, facilituese e kontribuese të rritjes së kapaciteteve.

Së fundi, delegacioni falenderoi Departamentin Amerikan të Shtetit, Hollandën dhe Global Forum on Cyber Expertise për kontributin e tyre në promovimin e grave në fushën e sigurisë kibernetike, nëpërmjet programit Women in International Security and Cyberspace.

Sesioni i pestë i OEWG do të zhvillohet në datat 24-28 Korrik 2023, gjatë të cilit pritet të trajtohet, ndër të tjera dhe ngritja e Intergovernmental Points of Contact Directory, në linjë me Annual Progress Report A/77/275, në të cilin “Shtetet pranojnë të krijojnë, bazuar në punën e bërë në nivel rajonal, një drejtori pikash kontakti globale, ndërqeveritare”.

Intergovernmental Points of Contact Directory do të shërbejë si një Masë Ndërtimi Besimi (MNB) dhe do të ofrojë kornizën për implementimin e MNB-ve të tjera, të cilat mundësojnë një mjedis të hapur, të sigurt, të qëndrueshem, të aksesueshëm dhe paqësor për teknologjitë e informacionit dhe komunikimit.

 

Takim me Gjeneral-Majorin e Ushtrisë Amerikane William Hartman
AKCESK